POLITIKE APO PANIK?
Faza 1: 24 mars – 6 prill

Në 48 orë më 27-28 mars më shumë se 62,000 njerëz kaluan kufirin në Morinë. Kjo është pika më e lartë e rrjedhës së refugjatëve gjatë gjithë kohës së konfliktit. Sipas procesverbaleve të rojeve të kufirit dhe burimeve të tjera, më shumë se 236,000 shqiptarë nga Kosova hynë në Shqipëri përmes postës kufitare në Morinë në periudhën 26 mars-6 prill.1 Këta refugjatë vinin kryesisht nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës jugore dhe perëndimore. Siç tregohet në hartën 2.1 (në faqen që vijon) në shumë nga bashkitë nga të cilat erdhën këta refugjatë, forcat policore, ushtarake e të parregullta jugosllave kishin kryer masakra ndaj popullsisë civile shqiptare të Kosovës.2 Megjithëse në disa bashki nga të cilat erdhën një numër i konsiderueshëm refugjatësh, kishte pasur bombardime të NATO-s, ka edhe arsye të tjera, ndoshta më bindëse, që shkaktuan largimin e refugjatëve, siç bëhet e qartë nga shpjegimi që vijon.

Map 2. 1: Faza 1, 24 mars-6 prill
View Map 2.1
Note: Maps open in seperate windows.
 
Map 2. 2: Rrjedha e refugjatëve sipas bashkive, 24 mars-6 prill
View Map 2.1

Harta 2.1 paraqet rrjedhën e refugjatëve si dhe përafërsisht pikat e bombardimeve të NATO-s dhe të masakrave (të supozuara) të civilëve shqiptarë nga forcat jugosllave. Harta 2.13 paraqet një interpretim të rrjedhës së refugjatëve në kontekstin gjeografik dhe në kontekstin e bombardimeve të NATO-s dhe të vrasjeve masive (të supozuara). Harta 2.2 (shih më poshtë)4 jep informacion më të saktë për rrjedhën e refugjatëve nga çdo bashki për të gjithë fazën e parë. Shih hartat në shtojcën B për numrin e shqiptarëve të Kosovës që u larguan nga seicila prej 122 pikave të shënuara në hartë (mbi bazë periudhash dyditore) në fazat 1-3.

Yjet në hartë shënojnë vendndodhjen e bombardimeve të NATO-s për çdo ditë kur u bombardua një bashki e caktuar. Është e pamundur të jepen të dhëna më të detajuara, p.sh., numri i bombave apo predhave që u hodhën, sepse nuk ka burime publike me informacion të hollësishëm për fushatën ajrore të NATO-s. Vendndodhja e yjeve është përcaktuar më përafërsi. Çdo yll është vendosur në bashkinë ku janë kryer bombardimet, por mund të mos jetë vendosur ekzaktësisht në fshatin ku kanë rënë një ose më shumë bomba; gabimi maksimal në këto harta është rreth 10 km.5

Informacioni lidhur me bombardimet është marrë nga burimet zyrtare të qeverisë jugosllave dhe burime të medias private jugosllave. Në disa raste këto burime janë plotësuar me të dhëna të marra nga njoftimet për shtyp të NATO-s. Ne zgjodhëm që të mbështetemi në burimet jugosllave për dy arsye. Së pari, të dhënat e NATO-s në më të shumtën e rasteve janë të paqarta. Zëdhënësit për shtyp të NATO-s raportonin se NATO kishte qëlluar disa objektiva në Kosovë dhe përmendnin me emër një ose dy vende, duke mos specifikuar vendet e tjera.6 Në të kundërt, burimet jugosllave si rregull jepnin emrin e bashkisë dhe disa herë edhe të fshatit që ishte bombarduar. Së dyti, ne po testojmë hipotezën e paraqitur nga qeveria jugosllave se bombardimet e NATO-s ishin shkaku i largimit të shqiptarëve nga Kosova. Testi më i mirë i kësaj hipoteze është përdorimi i të dhënave të vetë qeverisë jugosllave lidhur me vendin dhe datën e bombardimeve.

Vrasjet masive shënohen në hartën 2.1 me një "X". Të dhënat lidhur me vrasjet masive janë marrë nga raporti i OSBE-së i datës 6 dhjetor 1999.7 Vrasjet masive janë përkufizuar si episode në të cilat ka pasur më shumë se pesë viktima. Raporti i OSBE-së nuk i përfshin të gjitha vrasjet masive që ndodhën gjatë periudhës mars-maj 1999, por ky raport është burimi më i plotë që kemi në dispozicion deri më tash. Nga ana tjetër, përfundimet e këtij raporti janë konfirmuar nga organizata lokale dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat kanë dokumentuar disa nga episodet e vrasjeve masive në disa rajone të Kosovës. Si edhe në rastin e vendndodhjes së bombardimeve, paraqitja në hartë e vendit të vrasjeve masive është bërë me përafërsi. Shenjat "X" janë vendosur kryesisht afër qendrës së secilës bashki, në përputhje me të dhënat mbi fshatrat ku janë kryer vrasjet, siç paraqiten në raportin e OSBE-së. Besojmë se gabimi në paraqitjen në hartë të vendndodhjes së vrasjeve masive nuk është më i madh se 10 km.

Jo gjithmonë refugjatët u larguan nga Kosova po në të njëjtën ditë kur lanë shtëpitë e tyre (shih shtojcën A, seksionin A3). Diferenca mes kohës kur njerëzit lanë shtëpitë dhe kohës kur ata kaluan kufirin, do të thotë se numri i njerëzve që lanë shtëpitë nuk është i njëjtë me numrin e njerëzve që kaluan kufirin në të njëjtën periudhë. Rreth 231,000 shqiptarë të Kosovës lanë banesat e tyre gjatë fazës 1, por 11% e këtyre njerëzve mbetën në lëvizje brenda Kosovës deri në fazën 2 dhe 3.

Harta 2.1 përdor shenjat si shirit gradash për të treguar vendin nga ku erdhën refugjatët dhe lëvizjet e tyre. Këto shenja janë shkallëzuar për të paraqitur numrin e njerëzve që kanë ikur nga çdo bashki gjatë fazës 1. Shenjat si shirit gradash japin një interpretim cilësor të hartës 2.2 dhe të hartave më të sakta e më të detajuara që paraqiten në shtojcën B. Ne nuk e dimë saktësisht rrugën që ndoqën refugjatët për të mbërritur në Morinë, kështu që rrugët e shënuara nga shenjat si shirit grade janë vizatuar me përafërsi. Këto rrugë janë ndërtuar mbi bazën e dëshmive të dhëna në raportin e OSBE-së dhe në raporte të tjera, si dhe nga të dhëna të mbledhura përmes intervistave të realizuara nga projekti ynë e nga projekte të tjera. (shih shtojcën A, Të Dhëna e Metoda, seksionin A1).

Hartat 2.1 dhe 2.2 bëjnë të qartë se shumica dërrmuese e refugjatëve që mbërritën në Morinë gjatë fundit të marsit dhe fillimit të prillit, vinin nga qytetet perëndimore të Pejës, Gjakovës e Deçanit, nga zonat jugore të Rahovecit, Suharekës e Prizrenit, si dhe nga qytete e fshatra më të vogla në zonat perëndimore dhe jugperëndimore të Kosovës. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm njerëzish ikën nga Mitrovica në Kosovën veriore.8 Në pikën më të lartë të rrjedhës së refugjatëve, më 27-28 mars, grupe shumë të mëdha njerëzish u larguan nga Peja dhe Prizreni (afërsisht 7,000 nga Peja dhe 16,800 nga Prizreni).

Zonat më të errëta në hartën 2.2 shënojnë bashkitë nga të cilat u larguan një numër relativisht i madh njerëzish që hynë më pas në Shqipëri. Grupet më të mëdha vinin nga Gjakova, Rahoveci, Suhareka dhe Prizreni. Një numër i madh njerëzish u larguan edhe nga Dragashi, Deçani dhe Peja, por shifrat këtu janë më të ulta se numri i refugjatëve që erdhën nga bashkitë e përmendura në grupin e parë. Siç tregohet në komentet e bëra më lart për grafikën 1.2, të gjitha këto bashki janë në perëndim dhe në jug të Kosovës. Një numër njerëzish u larguan edhe nga disa bashki të tjera, duke përfshirë Prishtinën dhe Mitrovicën në zonën qendrore-veriore. Edhe nëse marrim në konsideratë numrin e refugjatëve që u larguan nga Prishtina e Mitrovica (shumica e të cilëve shkuan në Maqedoni), pjesa më e madhe e refugjatëve që lanë shtëpitë e tyre gjatë kësaj periudhe ishin nga jugu dhe perëndimi i Kosovës.9

Përjashtimi i vetëm në përqendrimin e refugjatëve ndodh në mesin e fazës 1. Në 29-30 mars migrimi i refugjatëve është më i shpërndarë se në çdo periudhë tjetër të fazës së parë. Më shumë se 1,000 u larguan nga secili prej nëntë qyeteve dhe fshatrave në Kosovën perëndimore dhe jugore. Një numër i konsiderueshëm refugjatësh erdhën nga dy zona në veri dhe lindje (shih hartat në shtojcën B për këto data).

Monitoruesit e të drejtave të njeriut kanë raportuar largime masive të njerëzve nga Kosova jugore dhe perëndimore gjatë kësaj periudhe. Sipas dëshmive të mbledhura, shqiptarët e Kosovës shpesh u larguan për shkak të kërcënimeve ose të akteve të tjera të dhunës nga ana e autoriteteteve dhe forcave ushtarake e paraushtarake jugosllave.10 Refugjatët që kaluan kufirin për në Shqipëri tregonin se njësitë ushtarake dhe paraushtarake jugosllave i detyronin të hynin në një autostradë që kalon nga Peja (qytet në veriperëndim) përmes Gjakovës për në Prizren.11 Në dëshminë e mëposhtme një dëshmitar tregon se si e detyruan të lerë shtëpinë e tij.

Serbët i detyruan njerëzit të largohen nga Peja të enjten [1 prill] në orën 10.00 paradite. Na thanë: "Shkoni në Shqipëri". Ata shkonin nga një lagje në tjetrën. Ata digjnin shtëpitë sapo iknin njerëzit. Kishin sjellë kamionë dhe autobuzë për ne. Na trajtuan si kafshë. Burra dhe gra bashkë. Nuk na lanë të marrim me vete rroba ose bagazhe të tjera. Ikëm ashtu siç ishim. Ata i godisnin burrat herë pas here. Na vodhën çdo gjë nga shtëpitë.

Ne u nisëm me makinë drejt kufirit. Afërsisht 20 km para se të mbërrnim në kufi, na ndaluan dhe na thanë: "Ecni tani. Meqë NATO ju ka dalë në krah, pse nuk i kërkoni ca ndihmë NATO-s?"

Udhëtuam 6-4 orë me autobuz. Ne u nisëm në orën 13.00 dhe mbërritëm në orën 19.00. Pastaj ecëm për rreth dy orë. Dritaret ishin të mbuluara dhe autobuzët ishin të mbushur plot e përplot.12

Sipas një numri të madh dëshmish të marra nga refugjatët, forcat paraushtarake serbe ju jepnin njerëzve vetëm disa minuta për të mbledhur plaçkat e për të ikur nga shtëpitë.13

Gjatë valës së parë të refugjatëve në 28 mars, disa shqiptarë nga Kosova rrëfenin se njësitë paraushtarake serbe sollën autobuzë për t’i transportuar refugjatët nga Peja dhe Gjakova, kurse të tjerët udhëtuan mbi makina ose rimorkjo të tërhequra nga traktorë. Me përjashtim të refugjatëve që kaluan më këmbë kufirin shqiptar në dy pika jozyrtare, Tropojë dhe Krumë,14 shumica e refugjatëve kaluan përmes qytetit të Prizrenit në jugperëndim të Kosovës. Prizreni është 15 km larg nga Morina, pikë kufitare në Shqipëri. Nga Prizreni refugjatët – shumica e të cilëve ishin gra, fëmijë dhe të moshuar – kaluan për në Shqipëri më këmbë, me makina dhe traktorë.15 Refugjatët shqiptarë nga Kosova dëshmonin se procesi dukej i organizuar mirë, siç del në pah nga dëshmia e mëposhtme:

U larguam nga Gjakova në 28 ose 29 mars, sepse kishim frikë. Në Gjakovë u vranë njerëz dhe u dogjën shtëpi. Shumë njerëz në lagjen time, Lagjia e Re, punonin për fondacionin "Nënë Tereza". Shtëpitë e tyre u dogjën. [Në 28 ose 29 mars] policët serbë shkuan në shtëpitë e njerëzve dhe ju thanë të largoheshin. Ata [serbët] vinin vërdallë me makina që i kishin vjedhur.

Ne ikëm përpara se ata të vinin në shtëpinë tonë. Burrat u ikën më parë se gratë, por më vonë u larguan edhe gratë. Në shkuam në Moglicë ku qendruam për katër ditë. Por në Moglicë kishte mijëra njerëz nga Gjakova dhe fshtarët na thanë të iknim, sepse kishin frikë se do t’i qëllonin me artileri.

Kështu që ne u kthyem përsëri në Gjakovë, ku qëndruam rreth tri orë.

Serbët ishin vendosur në shtëpitë fqinje. Kur serbët filluan të hynin në shtëpitë përreth, njerëzit na thanë të largoheshim. Shumica e njerëzve u mblodhën rreth 500m larg spitalit. Unë gjeta një traktor që e kishte një shqiptar. Hypa në të dhe ika. Gruaja ime ishte shtatzënë, gati për të lindur, kështu që e lashë në spital. Mora vesh që na kish lindur vajzë.

Serbët nuk na lanë të shkonim nga Qafa e Prushit, kështu që ne u nisëm për në Morinë duke kaluar nga Prizreni. Serbët na ndoqën deri në Prizren, hipur mbi makinat tona. Në Bishtazhin policët dhe ushtria na morën pashaportat dhe dokumenta të tjera.16

Gjatë fazës 1 vrasjet masive qenë më të shpeshta në zonën jugperëndimore në krahasim me zona të tjera të Kosovës. OSBE-ja ka dokumentuar vrasje masive në bashkitë e Pejës, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Suharekës. Rruga nga Gjakova për në Pejë ishte veçanërisht e rrezikshme. Në shumë qytete të vogla përgjatë kësaj rruge janë dokumentuar vrasje masive.17 Në zonat jugore këto vrasje ndodhën më herët, para 30 marsit, ndonëse vala më madhe e refugjatëve filloi pas një jave. Vrasje masive u kryen edhe në Podujevë, Mitrovicë, Izbicë, Kaçanik dhe në zonat përreth Prishtinës.

Faza I: 24 mars – 6 prill
Faza II: 7-23 prill
Faza III: 24 prill – 11 maj

Bombardimet e NATO-s gjatë kësaj periudhe u përqendruan në Serbi dhe në Kosovën qendrore, veçanërisht në Prishtinë, shumë larg nga fokusi i migrimit, ndonëse disa bomba të NATO-s ranë në bashkitë jugore dhe perëndimore. Grafiku 2.1 tregon modelet e rënies së bombave në lidhje me numrin e njerëzve që u larguan nga katër bashki.

Grafiku 2.1: Numri i shqiptarëve të Kosovës që lanë shtëpitë e tyre dhe modelet e bombardimeve të NATO-s, mbi bazë periudhash dyditore, për katër bashkitë, 24 mars – 11 maj (Gjakovë, Dragash, Rahovec, Gjilan)

Grafiku 2.1

Shenim: Ndodhja e nje sulmi ajror te NATO-s gjate nje periedhe 2 ditore tregohet me nje * ne krye te çdo grafiku.

Shenjat e vogla (asterikset) në grafikun 2.1 shënojnëë kohën e kryerjes së sulmeve ajrore. P.sh., sulmet e NATO-s mbi Gjakovë u kryen gjatë gjithë periudhës nga fundi i marsit deri në fillim të majit (shih sipër në të majtë), por shumica e njerëzve u larguan nga Gjakova përpara 6 prillit. Nëse shkaku i largimit të njerëzve ishin bombradimet në datën 27-28 mars, efekti i tyre u ndje me vonesë: në fakt numri i njerëzve që u larguan ra paksa në datat 29-30 mars përpara se të mbërrinte një pikë të lartë në 3-4 prill për t’u zvogëluar përsëri më pas. Sulmi i dytë i NATO-s mbi Gjakovë, në datë 5 prill, ndodhi tamam pasi vala e parë e refugjatëve u zvogëlua ndjeshëm nga 5,000 në 500 në çdo periudhë dyditore. Por rrjedha e refugjatëve nga Gjakova nuk u rrit pas 5-6 dhe 10-11 prillit, dy momente të tjera kur pati bombardime të NATO-s. Bombardimet e NATO-s mbi Gjakovë vazhduan gjatë fazave 2 dhe 3. Sulmi i NATO-s në 10-11 prill u ndoq një javë më pas nga një valë e vogël refugjatësh. Sulmet ajrore në datë 20-21 dhe 24-25 prill u ndoqën nga një rritje tjetër e vogël në numrin e refugjatëve që u larguan në 26-27 prill. Tre sulmet pas kësaj periudhe nuk duken të kenë ndonjë lidhje me valët e refugjatëve që pasuan. Siç shihet, në Gjakovë masa e periudhës kohore mes momentit së bombardimeve dhe momentit të largimit të refugjatëve varion shumë.

Modeli i rrjedhës së refugjatëve që u larguan nga Rahoveci është i ngjashëm me modelin e rrjedhës së refugjatëve nga Gjakova, por bombardimet në Rahovec ndodhën më vonë. Shumë refugjatë u larguan nga Rahoveci përpara 5-6 prillit. Numri i refugjatëve arrin pika të larta në 29-30 mars dhe 2-3 prill. Sulmi ajror i NATO-s që ndodhi në 31 mars-1 prill i parapriu pikës më të lartë në largimin e refugjatëve nga kjo bashki, pikë që u arrit në periudhën 2-3 prill. Por sulmi i NATO-s që ndodhi në 6-7 prill, u ndoq nga nivele të ulta në rrjedhën e refugjatëve deri më 2-3 maj kur më shumë se 1,600 njerëz u larguan nga kjo bashki. Pika më e lartë në rrjedhën e refugjatëve nga Rahoveci i paraprin sulmit të parë të NATO-s në 31mars – 1 prill. Nga 8 prilli – 11 maj rreth 7,000 njerëz u larguan nga Rahoveci, shumica në grupe të vogla prej 75-100 njerëz çdo ditë. Rrjedha e refugjatëve mbërriti një pikë të lartë nga mesi i fazës 3, në 2-3 maj, kur 1,600 refugjatë u larguan nga Rahoveci.

Në Dragash, që ndodhet në jug të Kosovës, largimi i refugjatëve ndjek të njëjtin model si në Rahovec. Deri më 6 prill mijëra njerëz u larguan çdo ditë nga kjo bashki. Por as burimet jugosllave, as burimet e NATO-s nuk kanë dhënë ndonjë informacion për bombardime të NATO-s në këtë zonë gjatë ose pas kësaj periudhe. Më pak njerëz u larguan nga bashkia lindore e Gjilanit (vini re se njësia për aksin vertikal në këtë grafikë është 100, kurse njësia për grafikët e tjerë është 1000), por korrelacioni mes kohës së bombardimeve dhe numrit të njerëzve që janë larguar nga kjo bashki është i ngjashëm me atë të vënë re në Rahovec. Raporti i OSBE-së vë në dukje se, megjithëse kishte shumë njerëz që u zhvendosën nga banimet e tyre në bashkinë e Gjilanit, dhe pavarësisht nga katër periudha bombardimesh në Gjilan, në total një numër relativisht i ulët njerëzish migruan nga kjo bashki si refugjatë në vende të tjera ose në zona të tjera të Kosovës.18

Më 2-4 prill NATO informoi se i pezulloi bombardimet për shkak të motit të keq. Ky informacion nuk u kundërshtua nga raportet e qeverisë jugosllave mbi bombardimet në Kosovë.19 Kjo periudhë kur bombardimet e NATO-s munguan, është periudha kur rrjedha e refugjatëve arriti nivelin më të lartë e më të qendrueshëm gjatë gjithë kohës së konfliktit.

Periudha 24 mars – 6 prill është periudha e rrjedhës më të dendur të refugjatëve gjatë gjithë konfliktit. Migrimi gjatë kësaj periudhe u përqendrua në korridorin Pejë-Prizren. Në skajin perëndimor të Kosovës numri i njerëzve që u larguan nga banimet e tyre në Deçan u rrit deri në fund të fazës 1. Afërsisht 2,200 njerëz lanë shtëpitë e tyre në periudhën 31 mars – 1 prill, 4,300 njerëz në 2-3 prill dhe 5,300 në 4-5 prill. Numri i njerëzve që largoheshin nga Gjakova mbërriti një pikë të lartë prej rreth 5,800 njerëz në 31 mars – 1 prill duke u pasuar nga një rënie e vogël pas kësaj date. Më shumë se 5,800 njerëz u larguan nga Suhareka në 29-30 mars dhe numri i refugjatëve vazhdoi të rritet deri sa arriti shifrën 8,000 njerëz në 4-5 prill. Grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar se shqiptarët e Kosovës me banim në Suharekë dhe Rahovec kanë vuajtur nga shkelje flagrante të të drejtave të njeriut nga autoritetet jugosllave, të cilat i urdhëruan njerëzit të largoheshin nga banimet e tyre.20 Në fillim të prillit një refugjat, duke përshkruar Kosovën jugperëndimore, tha: " Kudo që shkon, sheh vetëm shtëpi të djegura dhe ushtarë e policë serbë. Gjithë Kosova [jugperëndimore] është zbrazur nga njerëzit".21

Në 6 prill qeveria jugosllave deklaroi një armëpushim të njëanshëm për hir të Pashkëve Ortodokse: "...duke filluar nga 6 prilli, ora 20.00, do të pezullohen të gjitha veprimet e ushtrisë dhe të policisë kundër organizatës terroriste Ushtria për Çlirimin e Kosovës,".22 Ndryshe nga pezullimi i bombardimeve të NATO-s që kishte ndodhur pak kohë më parë, ky veprim i njëanshëm ndikoi menjëherë në rrjedhën e refugjatëve. Njëkohësisht me pezullimin e veprimeve të qeverisë jugosllave, rrjedha e refugjatëve që hynë në postën e Morinës ra nga 24,000 njerëz në datë 6 prill në më pak se 1,000 në datë 7 prill.


1. Rreth 13% e refugjatėve qė hynė nė Shqipėri gjatė fazės 1 ishin larguar nga banesat e tyre pėrpara 24 marsit, data kur fillon kjo fazė.

2. Kjo analizė shqyrton vetėm marrėdhėnien mes migrimit forcėrisht tė detyruar dhe vrasjeve masive. Ne nuk marrim nė shqyrtim marrėdhėnien mes kėtij migrimi dhe formave tė tjera tė dhunės qė mund tė jenė ushtruar.

3. Si edhe pėr grafikėt 3.1 dhe 4.1 respektivisht pėr fazat 2 dhe 3.

4. Dhe pėr fazėn 2 e fazėn 3 respektivisht nė grafikėt 3.2 dhe 4.2

5. Burimi i informacionit shumė rallė ėshtė mė i saktė se ē'ėshtė paraqitur nė hartėn 2.1, prandaj ne i kemi paraqitur vendndodhjet e bombardimeve dhe vrasjet masive duke u bazuar nė bashkitė dhe jo nė fshatrat.

6. Pėr shembull, nė konferencėn pėr shtyp tė NATO-s nė 29 mars Kapiteni i Parė i Forcave Ajrore David Wilby tha: "Ėshtė e rėndėsishme tė theksohet se ne kemi filluar operacionet kundėr forcave nė terren nė Kosovė. Mbrėmė natėn sulmuam Donja Semanja, ku goditėm grupin e luftimit numėr 243, grup i cili ka marrė pjesė nė pastrimin etnik dhe nė veprimtari tė tjera tė dėnueshme nė jug tė Kosovės". Ai nuk specifikoi ku mund tė jenė kryer sulme tė tjera tė NATO-s.

7. Nė raportin e OSBE-sė, shih Pjesėn 5, raportin mbi bashkitė.

8. Njerėzit nga Mitrovica u larguan nga Kosova pėr nė Shqipėri, por edhe pėr nė Maqedoni dhe Mal tė Zi. Shih raportin e OSBE-sė datė 6 dhjetor 1999, pjesa 5, kapitulli mbi Mitrovicėn.

9. Shih shtojcėn A, Tė Dhėna e Metoda, pėr njė analizė tė mundėsisė pėr tė pėrgjithėsuar pėrfundimet e arritura mbi bazėn e tė dhėnave tė mbledhura nė Shqipėri pėr tė gjithė refugjatėt shqiptarė nga Kosova.

10. Buletini i HRW pėr Kosovėn, nr. 8, 9, 11, 16.

11. Nė Kosovė ka pak rrugė tė asfaltuara, prandaj nė shumė intervista pėr kėtė projekt shqiptarėt nga Kosova i pėrshkruajnė qendrat fshatare tė banimit nė raport me rrugėn mė tė afėrt qė ata e quajnė "asfalt", nė dallim nga rruga e pashtruar.

12. Intervistė dhėnė HRW, prill 1999, Shqipėri.

13. Intervista tė marra nė shqip nė pikėn e kufirit nė Morinė nga Fron Nazi, 26 mars - 5 prill. Po ashtu shih konferencėn pėr shtyp tė Jamie Shea, zėdhėnėsi i NATO-s, dhe tė Kapitenit tė Parė tė Forcave Ajrore David Wilby, datė 29 mars. Raporti i OSBE-sė (6 dhjetor 1999) vė nė dukje njė ngjarje tė pėrsėritur ku njerėzve ju kėrkohej tė largoheshin menjėherė; shih kapitujt mbi Klinėn, Rahovecin dhe Pejėn.

14. Zyrtarėt shqiptarė tė kufirit nė Krumė na informuan se nė fund tė marsit dhe fillim tė prillit rreth 50-60,000 kosovarė kishin kaluar kufirin nė Tropojė dhe 25,000 tė tjerė kishin kaluar kufirin nė Krumė. Nuk ėshtė mbajtur asnjė procesverbal pėr kėta refugjatė, pėrveē shifrave tė bazuara mbi vlerėsime, shifra qė iu raportuan qeverisė shqiptare dhe UNHCR-sė.

15. New York Times, 29 mars, "Rradhė e Gjatė Refugjatėsh qė Shtyhen pėr tė Hyrė nė Shqipėri"; po ashtu dėshmi tė mbledhura nė Morinė nga Fron Nazi, 26 mars - 5 prill.

16. Intervistė dhėnė HRW, prill 1999, Shqipėri.

17. Shih Buletini i HRW pėr Kosovėn, nr. 14, 18 dhe 27.

18. OSBE 6 dhjetor 1999, pjesa 5: kapitulli mbi Gjilanin.

19. Udhėzime nga Zėvendėssekretari i Shtetit Dr. Edgar Buckley dhe nga Zėvendėskryetari i Stafit tė Mbrojtjes Marshalli i Forcave Ajrore Sir John Day, 2 prill. Tė dhėnat qė kemi nga burimet qeveritare jugosllave nuk japin informacion pėr bombardime nė datat 2,3 dhe 4 prill, megjithėse katėr bashki u bombarduan nė 1 prill dhe tre u bombarduan nė 5 prill.

20. Buletini i HRW pėr Kosovėn, nr. 24

21. Buletini i HRW pėr Kosovėn, nr. 24

22. Tanjug, 6 prill 1999.


Previous  
Tyreza e Lėndės
 
Next

 

AAAS Science and Human Rights Program