POLITIKE APO PANIK?

Përmbledhje e Raportit

Përse u larguan nga Kosova qindra mijëra shqiptarë etnikë duke filluar nga fundi i marsit deri në mes të majit 1999? Ikën për shkak të konfliktit midis trupave jugosllave dhe Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës, largoheshin ngaqë donin t’u shpëtonin sulmeve ajrore të NATO-s, apo largimi i tyre ishte rezultat i një fushate pastrimi etnik?

Ky raport bazohet në të dhënat administrative të mbajtura nga punonjësit e qeverisë shqiptare, të cilët regjistruan qindra mijëra shqiptarë nga Kosova kur këta të fundit kaluan përmes një poste të vogël kufiri afër fshatit Morinë në periudhën mars-maj 1999. Raporti merr po ashtu në konsideratë të dhëna të tjera zyrtare për lëvizjen e refugjatëve, si dhe vëzhgime të kryera në kampet e refugjatëve në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë-Herzegovinë. Ndryshe nga analizat e mëparshme, të cilat janë mbështetur tërësisht në dëshmitë e refugjatëve, ky studim shqyrton shkaqet e eksodit të refugjatëve duke bërë një vlerësim të modeleve statistikore të vetë eksodit. Përmes përdorimit të metodave novatore statistikore, studimi hap shtigje të reja në analizën e të drejtave të njeriut duke i vendosur pohimet e dëshmitarëve në kontekstin e analizës së të dhënave objektive administrative.

Ky studim konstaton se rrjedhja e refugjatëve nga Kosova u krye në tri faza krejt të dallueshme. Në fillim të çdo faze, rrjedha e refugjatëve ishte relativisht e pakët. Më pas, gjatë mesit të fazës, numri i refugjatëve që largoheshin nga Kosova arrinte një pikë relativisht të lartë (një kulm, një grup kulmesh ose një nivel të lartë konstant), para se të zvogëlohej në fund të fazës. Gjatë fazës së parë (24 mars - 6 prill) shumica e refugjatëve erdhën nga Kosova perëndimore dhe jugperëndimore. Në fazën e dytë (7-23 prill) shumica e refugjatëve lanë shtëpitë e tyre në bashkitë në veri dhe në qendër të Kosovës. Gjatë fazës së fundit (24 prill – 11 maj), refugjatët erdhën kryesisht nga bashkitë e Kosovës perëndimore dhe jugore.

Duke marrë në konsideratë numrin e njerëzve që u larguan nga secila bashki gjatë kësaj kohe dhe duke i krahasuar këto modele me kohët kur ndodhën sulmet ajrore të NATO-s dhe vrasjet masive (të supozuara), studimi arrin në përfundimin se vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve u larguan nga Kosova si rezultat i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO-s. Po ashtu studimi arrin në përfundimin se eksodi masiv i refugjatëve nga Kosova ndodhi sipas një skeme kaq të rregullt, sa që ky largim duhet të ketë qenë i koordinuar. Në kontekstin e dëshmive të dhëna nga refugjatët, shpjegimi më i mundshëm për këtë migrim të shqiptarëve nga Kosova është se autoritetet jugosllave planifikuan dhe zbatuan një fushatë të organizuar nga lart për të pastruar etnikisht të paktën disa zona ku banonin shqiptarë etnikë.

Përfundimet e arritura në këtë raport sugjerojnë se rrjedha e refugjatëve nuk përputhet domosdoshmërisht me episodet e vrasjeve masive. Si edhe në rastin e bombardimeve të NATO-s, episodet e vrasjeve masive përputhen vetëm në pak raste në kohë e hapësirë me rrjedhën masive të refugjatëve. Ndërkaq, ka shumë zona nga të cilat u larguan një numër i madh refugjatësh, ndonëse aty nuk ndodhën masakra, dhe ka zona të tjera ku u kryen vrasje masive, ndërsa rrjedha e refugjatëve ishte e pakët. Së fundi, përfundimet e këtij raporti sugjerojnë se bombardimet e NATO-s qenë të paefektshme taktikisht për të ndaluar largimin me forcë të shqiptarëve nga Kosova. Ndonëse bombardimet e NATO-s nuk qenë shkaku për migrimin masiv të kosovarëve, nga ana tjetër, këto bombardime nuk i ndaluan dot përpjekjet e forcave jugosllave për të dëbuar qindra mijëra shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre.


Previous  
Tyreza e Lëndës
 
Next

 

AAAS Science and Human Rights Program