Rreth Organizatave Programi i Shkencës dhe i të Drejtave të Njeriut i AAAS Programi i Shkencës dhe i të Drejtave të Njeriut kërkon të mbrojë të drejtat e njeriut për shkencëtarët dhe të shpjerë përpara metodat shkencore për dokumentimin dhe parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Programi zhvillon metoda shkencore për monitorimin e zbatimit të të drejtave të njeriut, nxit një mbështetje më të gjerë për të drejtat e njeriut mes shkencëtarëve dhe zhvillon kërkime në një sërë çështjes të lidhura me të drejtat e njeriut. EWMI Instituti i Menaxhimit Lindje Perëndim, Inc. (EWMI) është një organizatë jofitimprurëse që punon për nxitjen e reformave në shoqëritë në zhvillim dhe në tranzicion. Që nga themelimi në vitin 1988, EWMI ka drejtuar shumë programe në Europën Lindore e Qendrore dhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në fusha të tilla si reforma ligjore, privatizimi, ristrukturimi i ndërmarrjeve dhe zhvillimi i tregjeve të kapitalit. Po ashtu EWMI ka ndihmuar në zhvillimin e OJQ në të gjithë rajonin. IPLS Instituti për Studimet Publike dhe Ligjore u themelua në fillim të 1999 nga një grup juristësh shqiptarë të specializuar në Perëndim me mbështetjen financiare të EWMI. IPLS është një organizatë e pavarur joqeveritare që nxit zhvillimin e shoqërisë civile dhe të institucioneve demokratike përmes krijimit të hapësirave për shkëmbimin e lirë të ideve; përgatitjen e legjislacionit për të mbrojtur të drejtat civile dhe sundimin e ligjit; dhe trejnimin e punonjësve të qeverisë, edukatorëve dhe aktivistëve të OJQ në metoda të kërkimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të mjedisit. Themeluesit e IPLS përgatitën draftin e kushtetutës aktuale të Shqipërisë si dhe rreth njëzet ligje mbi të drejtat e njeriut, mbrojtjen e të dhënave dhe ligjin mbi Avokatin e Popullit.
|